Tiranë, më 20 Shkurt 2025
Kreditimi i SME-ve ka nevojë për nisma me efekt afatgjatë.
Intervistë e Znj. Loreta Gogaj, Drejtore e Departamentit të Biznesit SME në Union Bank, për Revistën Monitor.
Programi i Bankës së Shqipërisë për dhënien e kredive me kushte të favorshme do të ketë efekt pozitiv në kreditimin e SME-ve, por rritja e aksesit të tyre në burimet e financimit duhet të shkojë përtej fushatave afatshkurtra. Loreta Gogaj, Drejtore e Departamentit të Biznesit SME në Union Bank, thotë se këto lloj incentivash duhet të kenë ndikim afatgjatë dhe të mirëpriten nga sistemi bankar për t’u kthyer në një proces standard kreditimi dhe jo të jenë fushata afatshkurtra. Sipas saj, kostoja e ulët e këtyre kredive është një lehtësi, por sistemi ka nevojë të ndjekë dhe rregullat e tregut, ku çmimi duhet të jetë një efekt i rregullave të një ekonomie të lirë.
Znj. Gogaj vlerëson se problemet për kreditimin e SME-ve janë të lidhura me disa faktorë kryesorë, si informaliteti, mungesa e një informacioni të besueshëm për flukset e parasë apo mungesa e kolateralit. Megjithatë, sipas saj, Union Bank ka arritur t’i adresojë pjesërisht këto probleme nëpërmjet strukturave të posaçme të shitjes dhe përdorimit të skemave të garancisë që ofrohen nga palë të treta.
Në muajt e fundit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka kërkuar nga bankat rritjen e mbështetjes për biznesin e vogël dhe të mesëm. Cilat janë problematikat kryesore që kufizojnë aksesin e bizneseve të vogla dhe të mesme në huanë bankare?
Bizneset SME, edhe pse janë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, vazhdojnë të përballen me shumë sfida në aksesin në sistemin bankar. Për ne, rritja e bashkëpunimit ka qenë pozitive, pasi besojmë se kemi gjetur zgjidhje për disa nga problemet që ky segment has në kreditim, si vijon:
- Pamundësinë e këtyre bizneseve për të ofruar garanci hipotekore, ose garanci në përgjithësi e kemi zgjidhur nëpërmjet bashkëpunimit të Union Bank me ADGF (Albanian Development Guarantee Fund), nëpërmjet të cilit ne ofrojmë kredi edhe pa kolateral, kredi të cilat pa këto skema nuk do të mund t’i ofronim.
- Këto biznese nuk kanë sisteme apo platforma të tilla, që t’u ofrojnë bankave një informacion mbi lëvizjet e likuiditetit (cash flow) të tyre, në mënyrë që të vlerësojnë riskun dhe të vendosin një çmim të arsyeshëm,
- Procedura dhe dokumentacioni i gjatë që kërkon procesi i kreditimit, mund të jetë një tjetër pengesë, duke qenë se një pjesë e mirë e tyre janë biznese familjare dhe me pamundësi për t’u marrë me këto procedura, që kërkojnë shumë kohë e angazhim.Të dyja këto sfida, në Union Bank i kemi adresuar, duke krijuar një strukturë të posaçme me forcë shitëse për mbështetjen e bizneseve SME, ku lejojmë decentralizmin e procesit me një vendimmarrje në shumën 5-8 milionë lekë kreditim, duke ofruar në këtë mënyrë fleksibilitet dhe shpejtësi.
- Një tjetër arsye që bankat qëndrojnë larg, është edhe mungesa e besimit apo paqëndrueshmëria e këtyre bizneseve kundrejt reagimeve të tregut, që shpesh e bën të vështirë qasjen e bankave ndaj tyre. Për më tepër, kjo kërkon që bankat të ndërtojnë struktura të posaçme përqasjeje me produkte dhe procese, gjë që kërkon investim dhe kosto për bankat.
Vëreni përmirësime në drejtim të formalizimit dhe në ç’masë vazhdojnë të ofrojnë bizneset e vogla dhe të mesme “bilance të dyta” për të përfituar kredi bankare?
Ka një rritje të ndërgjegjësimit të bizneseve kundrejt formalizimit dhe mundësisë për të pasur edhe më shumë akses në sistemin bankar, por edhe për të qenë më të rregullt në lidhje me sistemet tatimore. Mungesa e formalizimit lidhet si me një ekonomi të gjerë cash-i që ne kemi, ashtu edhe me mungesë të një strukture të thjeshtë tatimore që biznesi të mund të vetëmenaxhojë cash flow-n dhe faturimet përkatëse. Fiskalizimi është një proces që ka ndihmuar në këtë drejtim.
Nga marrëdhëniet tuaja të biznesit, si e vlerësoni ecurinë e SME-ve në vitet e fundit dhe si është pozicionuar ky segment në ciklin pozitiv të ekonomisë pas pandemisë?
Avantazhi i këtyre bizneseve është fleksibiliteti dhe mundësia për t’u përshtatur shpejt me tregun dhe nevojat e klientëve. Pas mbështetjes së dhënë edhe nga sistemi bankar për të pasur një frymëmarrje, të përkohshme, këto biznese arritën që të rikthehen në normalitet. Gjithsesi, shikojmë që bizneset start up janë ato që hasin shumë vështirësi dhe e kanë të vështirë në 2-3 vitet e para që t’i mbijetojnë konkurrencës apo ndryshimeve të tregut. Eksportet kanë pasur goditjet më të mëdha gjatë kësaj periudhe dhe në veçanti pjesa e agrobiznesit dhe fasonerisë, që u ndikua nga luhatja e Euros.
Problem për agrobiznesin, turizmin apo prodhimin mbetet fuqia punëtore, paqëndrueshmëria e së cilës ka çuar në ulje të cilësisë së shërbimit. Rritja e kostove dhe e pagave, si pasojë dhe rritja e inflacionit si dhe mungesa e fuqisë punëtore, ka ulur një nga avantazhet që ka pasur eksporti i shërbimeve në tërheqjen e investimeve të huaja në vend.
Në cilët sektorë ekonomikë paraqitet më e lartë kërkesa për kredi nga SME-të dhe për çfarë qëllimesh kërkojnë zakonisht kredi këto biznese?
Kërkesa më e lartë vërehet kryesisht në tregti, për kapital pune dhe në shumë shërbime si hoteleri, bar-restorante, të cilat marrin kredi për investime. Rritje këtë periudhë ka pasur edhe në sektorë si energjetika, shërbimet IT dhe informatikë apo shërbimet mjekësore dhe dentare. Agrobiznesi pati një rënie të ndjeshme pas ndërprerjes së fondeve të IPARD, që ishin një shtysë e rëndësishme për agrobiznesin për të marrë përsipër investime të larta dhe disa herë më të mëdha sesa kapitali i krijuar nga aktiviteti i tyre.
Si e vlerësoni programin e shpallur së fundi të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e kreditimit të bizneseve të vogla dhe të mesme? Besoni se mund të jetë një shtysë e efektshme për të rritur kreditimin e këtyre ndërmarrjeve?
Nxitja e kreditimit të bizneseve SME me kushte të favorshme, patjetër që ka ndikim pozitiv në këtë drejtim. Këto biznese kanë vazhdimisht nevojë për një stimul për të investuar në nisma të reja apo në zgjerim të tregut. Gjithsesi, këto lloj incentivash duhet të kenë ndikim afatgjatë dhe të mirëpriten nga sistemi bankar për t’u kthyer në një proces standard kreditimi dhe jo një fushatë afatshkurtër. Kriteret e lehtësuara duhet të jenë pjesë e produkteve bankare që lidhen me nevojat e këtyre segmenteve bankare dhe u japin mundësinë atyre bizneseve që nuk kanë akses të hyjnë në sistemin bankar dhe në të njëjtën kohë, të mundësojnë bankat që të rrisin besimin dhe të krijojnë produkte të përshtatshme për këto segmente që të mund t’i implementojnë në afat të gjatë. Kostoja e ulët e këtyre kredive mund të nxisë shumë subjekte të aplikojnë, por duke mos krijuar shumë mundësi për të rritur aksesin e atyre që deri më sot nuk e kanë pasur në sistem.
Mundësia për fond garancie, siç dhe u komunikua në takimin më të fundit në Bankën e Shqipërisë, me fokus sektorin e bujqësisë, është tërheqëse, pasi realisht do të targetonte dhe një segment që pa këtë garanci nuk do të kishte akses në sistem. Kostoja e ulët e këtyre kredive është një lehtësi, por sistemi ka nevojë të ndjekë dhe rregullat e tregut, ku çmimi duhet të jetë një efekt i rregullave të një ekonomie të lirë.