Tiranë 9 Gusht 2024.

Union Bank realizoi me sukses në 2 Gusht 2024 emetimin e pestë të obligacioneve afatgjata me ofertë private, me vlerë totale 5 milionë Euro, i cili u realizua pas 4 emetimeve në një total prej 10.5 milionë Euro, të kryera me sukses në shkurt 2020, Tetor 2021, Shtator 2022 dhe Tetor 2023. 

Emetimi i obligacioneve u prit shumë mirë nga komuniteti i investitorëve, si një kombinim mes investitorëve institucionalë dhe individëve duke konfirmuar dhe njëherë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin që Union Bank ofron për klientët e saj.

Obligacionet e pagarantuara, të nënrenditura dhe ndërvarura – Borxh i Varur, të emetuara në monedhën Euro më afat 7 vjeçar kanë normë interesi vjetore fikse 5.00%, me çmim 100% të vlerës nominale në formë të dematerializuar. Vlera nominale e çdo obligacioni (që është shuma e përdorur në llogaritjen e pagesave të bëra për çdo obligacion) është 5.000 Euro, kurse shuma minimale e nënshkrimit është 20,000 Euro. 

Përdorimi i obligacioneve nga ana e korporatave po fiton gjithnjë e më shumë terren, duke u vlerësuar si një alternativë e mirë kundrejt injektimeve periodike të kapitalit nga aksionerët. Këto instrumente ofrojnë një sërë avantazhesh për investitorët, si diversifikimi dhe kthimi më i lartë, krahasuar me alternativat e tjera të investimit financiar, si dhe sjellin dhe edukim financiar për një instrument të tregut të kapitaleve që do të gjejë më shumë përdorim në të ardhmen.

Totali i Borxhit të Varur mbërriti në shumën e 15.5 milion euro, i cili përbën rreth 20% të Kapitalit të Nivelit të parë të Union Bank, i cili mbetet ndjeshëm nën limitin Rregullator të përcaktuar për këtë instrument.

Union Bank mbetet e angazhuar, jo vetëm në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve bankare që plotësojnë nevojat e klientëve por edhe në mundësinë e ofrimit të alternativave të ndryshme, të investimit për ta.