Tiranë 12 Mars 2024. Bashkojmë gjeneratën e ardhshme të liderëve të biznesit!
Union Bank dhe BERZH prezantojnë Programin Të Rinjtë në Biznes në Shqipëri
Më 12 mars 2024, Union Bank dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mblodhën përfaqësues nga shoqatat e të rinjve, qendrat dhe organizatat rinore, si dhe klientë të rinj në biznes, për të prezantuar fillimin e Programit të BERZH “Të Rinjtë në Biznes” në Shqipëri.
Union Bank është institucioni i parë financiar në Shqipëri që nënshkruan marrëveshjen e huasë prej 1 milion euro për fuqizimin e të rinjve në vend.
Programi i BERZH-it Të Rinjtë në Biznes (#YiB) u ofron ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të menaxhuara ose në pronësi të sipërmarrësve nën moshën 35 vjeç, akses në financimin, njohuritë, aftësitë dhe burimet e tjera kyçe të nevojshme për të kapërcyer sfidat dhe për të arritur potencialin e plotë.
Znj. Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank Shqipëri, u shpreh se si institucion, Union Bank është i përkushtuar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, i cili drejtohet kryesisht nga energjia e të rinjve sipërmarrës. Union Bank dëshiron të bëjë një ndryshim për sipërmarrësit e rinj që përbëjnë një pjesë jetike të ekonomisë lokale. Union Bank e kupton se liderët e rinj të biznesit në Shqipëri kanë nevojë për më shumë sesa thjesht financim, por edhe produkte të personalizuara, mbështetje jofinanciare si trajnime në aftësi, rrjetëzim, mentorim dhe mjete dixhitale për të drejtuar bizneset e tyre dhe për të ofruar mbështetje që funksionon mirë për komunitetin e bizneseve të reja. Znj. Veipi nënvizoi gjithashtu se është privilegj të jenë një nga institucionet e para partnere të BERZH-it që prezanton Programin Të Rinjtë në Biznes në Shqipëri, që synon nxitjen e sipërmarrjes në Shqipëri duke mbështetur pronarët e rinj të startup-eve inovative dhe dinamike, ndërmarrjeve mikro dhe të vogla. Programi YiB është në përputhje me strategjinë e Union Bank, për të ofruar shërbime financiare dhe jofinanciare për sektorin e NMVM-ve, që konfirmon marrëdhënie të gjata dhe të besueshme me klientët.
Znj. Ekaterina Solovova, Drejtuese e BERZH-it për Shqipërinë, u shpreh se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të fuqizuar sipërmarrësit e rinj. Znj. Solovova nënvizoi besimin e BERZH-it se duke prezantuar një model unik biznesi dhe duke ofruar një produkt që u përshtatet nevojave të tyre, sipërmarrësit e rinj do të lulëzojnë dhe do të nisin një rrugë që do të çojë në një të nesërme më gjithëpërfshirëse dhe më të begatë financiarisht. Union Bank është një klient prej kohësh i BERZH-it dhe një partner i besuar me të cilin nis programi Të Rinjtë në Biznes në Shqipëri.
Programi Të Rinjtë në Biznes i BERZH-it është i pranishëm në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Ky program pritet të sigurojë një total prej 100 milionë eurosh për bankat lokale në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të ardhshme. Huaja e BERZH-it përfshin gjithashtu një mekanizëm për mbulimin e riskut të humbjes së parë prej 70% nga Fondi Special i Aksionarëve, fondi me shumë donatorë i BERZH-it. Përveç financimit, institucioneve financiare partnere dhe huamarrësve fundorë do t’u ofrohen shërbime këshillimore në formën e projekteve të konsulencës, e-learning dhe trajnimeve.
Zv. Ambasador i Italisë në Shqipëri Z. Luigi Mattirolo, dhe Zj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ishin të pranishëm në aktivitet, të cilët ndanë mbështetjen e tyre për programin Të Rinjtë në Biznes.
Mbështetja financiare për programin Të Rinjtë në Biznes në formën e fondeve për bashkëpunim teknik, është siguruar nga Suedia përmes Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar; Italia nëpërmjet Iniciativës së Evropës Qendrore; dhe Luksemburgu nëpërmjet Fondit të Ndikimit të Biznesit të Vogël nga BERZH.