20 Nëntor 2024. Union Bank ishte pjesëmarrëse në Konferencën Rajonale të Programit “Të rinjtë në Biznes”, organizuar më 20 nëntor nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në Herceg Novi, Mali i Zi. Angazhimi në këtë program që prej lidhjes së marrëveshjes së huasë mes Bankës dhe BERZH në muajin Mars të këtij viti, i hapi rrugë Union Bank për të rritur kontributin e saj në fuqizimin e të rinjve në vend, duke financuar dhe këshilluar njëkohësisht sipërmarrësit e rinj në ndërtimin e bizneseve të suksesshme.
Programi ‘’Të Rinjtë në Biznes’’ (#YiB) është një platformë e rëndësishme, e cila u ofron ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të menaxhuara ose në pronësi të sipërmarrësve nën moshën 35 vjeç, akses në financimin, njohuritë, aftësitë dhe burimet e tjera kyçe të nevojshme, për të kapërcyer sfidat dhe për të arritur potencialin e plotë.
Kjo konferencë ishte një vendtakim me vlerë për të bërë bashkë donatorë të programit, drejtues të institucioneve financiare, të biznesit dhe marketingut, duke ofruar mundësi të shkëlqyera për shkëmbimin e ideve dhe strategjive mbi mbështetjen e sipërmarrësve të rinj dhe nxitjen e inovacionit në sektorin financiar.
Znj. Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank, e cila ishte dhe pjesë e panelit të diskutimeve në Konferencë, ku nder te tjera theksoi: “Për Union Bank, mbështetja e aspiratave të sipërmarrësve të rinj do të thotë nxitje e inovacionit dhe stimulim i rritjes ekonomike. Investimi në sipërmarrësit e rinj reflekton strategjinë progresive të bankës. Ajo përputhet me qëllimet tona më të gjera shoqërore për të nxitur përfshirjen në biznes dhe për të kontribuar në një ekosistem sipërmarrës më dinamik.
Union Bank prej vitesh është partner i besuar i BERZH-it, dhe ky program është një tjetër bashkëpunim me impakt të rëndësishëm në treg, në vijim të marrëdhënies së gjatë e të suksesshme midis dy institucioneve.